Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës ka ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të Agjencionit Kosovar për Akreditim për akreditimin e Programit për Fizioterapi dhe Rehabilitim.
Në lidhje me këtë padi, OFTK sot ka mbajtur një konferencë për media ku janë shtjelluar të gjitha shkeljet që AKA i ka bërë në këtë vendim.
Kryetari i OFTK-së, z. Feim Gashi, ka thënë se në këtë vendim janë bërë shkelje të shumta ligjore dhe nuk është respektuar asnjë kriter. Gashi ka deklaruar se AKA nuk i ka respektuar rekomandimet e ekspertëve të cilët kanë dhënë rekomandim obligues që të ndryshohet emri nga Fizioterapi dhe Rehabilitim, në vetëm Fizioterapi. Madje ky rekomandim është dashur të respektohet para se të fillojë implementimi i programit.
“Ne nuk jemi kundër akreditimit të programit si dhe kemi ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen tonë me ekspertizë. Por AKA nuk i ka respektuar as rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar për vlerësimin e programit të cilët kanë rekomanduar që të ndryshohet emri, të mbetet vetëm pjesa e Fizioterapisë dhe të hiqet pjesa e Rehabilitimit para se të fillojë implementimi i programit”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka shtuar gjithashtu se bartësit e programit nuk janë të profilit të fizioterapisë.
“Imagjinoni si mund t’i edukojë dikush studentët e në studimet e veta nuk ka mësuar asnjëherë fizioterapi. Madje njëri nga bartësit e programit nuk ka pasur as thirrje akademike Profesor Asistent. Pra në çdo aspekt janë shkelur udhëzimet administrative 2018, në të cilin është dashur të thirret AKA, por edhe udhëzimi administrativ i vitit 2024”, ka deklaruar Gashi.
Sipas Gashit, Ligji për Shëndetësi nuk e njeh profilin e fizioterapeutit dhe rehabilitatorit, sepse çdo fizioterapeut është edhe rehabilitator.
“Ata kanë krijuar paralelizma. Është njëjtë sikurse me u akreditu mjekësia e përgjithshme dhe trajtimi. Një mjek merret me trajtim. Apo një stomatolog me sëmundje të dhëmbit. Është e njëjta gjë”, ka thënë Gashi.
Gashi ka paralajmëruar edhe ankesë nga dy organizatat ndërkombëtare Asociacioni Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Florian Petani, avokat i angazhuar nga OFTK, ka thënë se shkeljet janë serioze, të rënda dhe shkaktojnë pasoja të pariparueshme. Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Gjykata që të pezullojë çdo aktivitet didaktik dhe mësimor në vitin e parë të këtij programi në Fakultetin e Mjekësisë për shkak të dëmeve të pariparueshme që mund të hasin studentët.
“OFTK ka vepruar si bartëse e të drejtave kolektive sepse në të ardhmen këta student kur do të diplomojnë në këtë program, duhet të paraqiten në OFTK për licencim. Dhe marrë parasyshë emrin e këtij programi, licencimi i tyre ligjërisht do të jetë i pamundur sepse legjislacioni në fuqi nuk e njeh emërtimin e programit ose drejtimit të studimeve Fizioterapi dhe Rehabilitim, por vetëm Fizioterapi”, ka thënë Petani.
Petani ka thënë se ekspertët e Agjencionit të Akreditimit kanë dhënë rekomandime obligues për ndryshimin e emrit të programit nga Fizioterapi dhe Rehabilitim, në Fizioterapi sepse kjo sipas tij është edhe me direktiva të Bashkimit Evropian.
“Nuk ka ligj që lejon licencimin pas diplomimit dhe nuk është e qartë nëse këta do të jenë fizioterapeutë apo rehabilitator”, ka thënë Petani.
Me respekt,
OFTK