Janë përmbyllur me sukses punimet e Kongresit të III-të Ndërkombëtar të Fizioterapisë të organizuar nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës.
Presidenti i Kongresit Prof. Assoc. Dr. Bekim Haxhiu i ka falënderuar përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, odave të rajonit, ligjëruesit, fizioterapeutët dhe profesionistët tjerë për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore për profesionin e fizioterapisë në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se anëtarët e OFTK-së dhe profesionistët tjerë shëndetësor kanë pasur mundësinë që të mësojnë nga përvoja dhe ekspertiza e ekspertëve ndërkombëtar dhe vendor.
“Organizim i jashtëzakonshëm, ndarje të eksperiencave dhe ide të reja. Ky kongres ishte një mundësi unike për të bashkuar fizioterapeutët nga rajoni dhe bota për të ndarë përvojat në shërbim të pacientëve. Kemi dëgjuar prezantime shumë të mira nga fizioterapia, fushë kjo shumë e rëndësishme në shëndetësi. Dua të falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin, për të gjitha diskutimet frymëzuese. Shpresoj që ky kongres të jetë një hap i rëndësishëm drejt avancimit të fizioterapisë dhe shëndetit të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Haxhiu.
Në mbyllje të Kongresit janë ndarë edhe certifikatat për Prezantimin më të mirë dhe për Hulumtuesen më të re.
Prof. Ass. Dr. Zheralldin Durguti e ka bërë ndarjen e certifikatave.
Fizioterapeutja Herona Haxhiu është shpallur Hulumtuesja e re më e mirë, ndërsa Fitim Badalli është shpërblyer me certifikatën për Punimin më të mirë.
Gjithashtu, Presidenti i Kongresit ka ndarë mirënjohje edhe për vullnetarët që ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e punimeve.
Në këtë kongres kanë prezantuar punimet e tyre mbi 30 ligjërues ndërkombëtar dhe vendor me tema të ndryshme për metodat dhe aplikimet, si dhe qasjen shkencore fizioterapeutike për trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve.
Presidenti i Konfederatës Botërore të Fizioterapisë, z. Michel Landry, Nënkryetari Konfederatës Botërore të Fizioterapisë – Rajoni i Evropës, z. Tim Németh, z. Tine Kovačič kryetar i Shoqatës Sllovene të Fizioterapisë, z. Kenan Zafer Aksungur kryetar i Shoqatës së Fizioterapeutëve në Turqi, z. Dragan Guberinic kryetar i Odës së Fizioterapisë së Malit të Zi, z. Faton Daci kryetar i Shoqatës Shqiptare të Fizioterapistëve.
Gjithashtu Kongresin e kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre edhe Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar z. Elvir Azizi, rektori i AMECC College – Rezonanca, dhe mysafirë të tjerë ndërkombëtar dhe vendor.