Është hapur sot Kongresi i III-të Ndërkombëtar i Fizioterapisë i organizuar nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës.
Në këtë ceremoni kanë marr pjesë kryetari i OFTK-së z. Feim Gashi, Presidenti i Konfederatës Botërore të Fizioterapisë, z. Michel Landry, Nënkryetari Konfederatës Botërore të Fizioterapisë – Rajoni i Evropës, z. Tim Németh, Prof. Bekim Haxhiu President i Kongresit të III-të Ndërkombëtar të Fizioterapisë, z. Elvir Azizi Drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Prof. Arian Idrizaj Rektor AMECC Rezonanca, kryetar të odave dhe shoqatave të fizioterapeutëve nga rajoni dhe Turqia, përfaqësues të tjerë dhe fizioterapeutë.
Kryetari i OFTK-së z. Feim Gashi ka thënë se Kongresi i sotëm është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës për ngritjen e standardeve profesionale, promovimin e inovacionit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
“Ky kongres nuk është vetëm një vend takim idesh. Është një thirrje për veprim, një mundësi për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, për të përqafuar qasjet më të reja shkencore dhe për të forcuar imazhin e profesionit tonë në shoqëri”, ka deklaruar Gashi.
Gashi iu ka bërë thirrje kolegëve fizioterapeutë që të punojnë së bashku që Fizioterapia në Kosovë të jetë një shembull i ekselencës, etikës dhe përkushtimit ndaj pacientit.
Presidenti i Kongresit Prof. Bekim Haxhiu e ka hapur fjalën e tij me përshëndetje të ngrohta dhe vlerësim të kontributit për dy përfaqësuesit e Konferedatës, z. Michel Landry Presidenti i Konfederatës Botërore të Fizioterapisë, dhe z. Tim Nemeth Nënkryetar Konfederatës Botërore të Fizioterapisë – Rajoni i Evropës.
Haxhiu ka theksuar kontributin e z. Landry dhe z. Nemeth për themelimin, zhvillimin dhe afirmimin e profesionit të fizioterapisë në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se pjesëmarrja kaq e lartë e fizioterapeutëve në Kongres tregon për ngritjen e madhe shkencore dhe profesionale të fizioterapeutëve.
“Sot ndihem i privilegjiuar të qëndroj para jush si kryetar i Kongresit. Fizioterapia është një degë me dinamikë të lartë në shëndetësi e cila vazhdimisht po zhvillohet dhe përshtatet me nevojat e pacientëve. Prandaj kongresi është një mundësi e mirë për të diskutuar, mësuar dhe ndarë përvojat tona. Ky është më shumë se Kongres, një hap përpara për të përmirësuar përvojat tona në shërbim të pacientëve”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai ka thënë se nuk do të lejojnë asnjëherë që profesioni i fizioterapisë të degradohet, duke ngritur cilësinë përmes specializimeve dhe shërbimeve në tre nivelet e shëndetësisë, primar, sekondar dhe terciar.
Presidenti i Konfederatës Botërore të Fizioterapisë, z. Michel Landry, ka thënë se shtë një nder i vërtetë për të që të marr pjesë në Kongresin e III-të të Fizioterapisë të organizuar nga OFTK.
“Ju uroj punime të mbara. Faleminderit shumë për çka keni bërë dhe që na keni ftuar dhe keni bërë bashkë ekspertë ndërkombëtarë. Ju inkurajoj që të angazhoheni me ligjëruesit dhe të mësoni nga ekspertiza e tyre dhe të shpërndani këtë ekspertizë”, ka thënë Landry.
Ai ka thënë se meritat për themelimin e fizioterapisë në Kosovë nuk i takojnë vetëm atij, por një ekipi të tërë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2000.
“Kam qenë këtu në vitin 1999, si pjesë e grupit dy javë pasi filluan të vinin refugjatët në Prishtinë. Të shohësh sot rrugët dhe sa është zhvilluar Prishtina është inspiruese për mua. Nuk kam qenë vetëm unë në themelimin e fizioterapisë, por një ekip e tërë në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Landry.
Nënkryetari Konfederatës Botërore të Fizioterapisë – Rajoni i Evropës, z. Tim Németh, ka thënë se ngjarje se ky kongres kontribuon në formimin e gjeneratave të reja.
“Faleminderit shumë Feim për ftesën dhe organizimin e këtij Kongresi. E kam parë programin dhe kam parë shumë tema interesante të ligjëruesve. Ju uroj punime të mbara të gjithëve dhe uroj që ngjarje si këto të krijojnë të ardhmen e fizioterapeutëve”, ka thënë Nemeth.
Elvir Azizi drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka uruar OFTK-në për organizimin e Kongresit dhe pjesëmarrjen e madhe. Ai ka thënë se profesioni i fizioterapeutëve nuk është vetëm terapeutik por ua ndryshon për të mirë jetën e pacientëve.
Tine Kovačič kryetar i Shoqatës Sllovene të Fizioterapisë ka thënë se bashkë si fizioterapeutë do të jenë të pandalshëm.
“Është nder i madh për mua që të jem këtu në Kosovë së bashku me ju dhe të ndaj përvoja me ju në përmirësimin e jetës së pacientëve. E kam privilegjin të përfaqësoj shtetin e Sllovenisë. Ne ndajmë vlera të përbashkëta dhe bashkë jo vetëm që jemi më të fortë, por jemi të pandalshëm”, ka thënë ai.
Kenan Zafer Aksungur, kryetar i Shoqatës së Fizioterapeutëve në Turqi ka thënë se bashkërisht duhet të ndajnë përvojat në shërbim të pacientëve.
“Është nder i madh për mua që të jem këtu para juve si përfaqësues nga Turqia dhe Asociacioni i Fizioterapeutëve të Turqisë. Nga Prishtina në Ankara, ne ndajmë më shumë se gjeografinë, profesionin tonë në të mirë të pacientëve duke punuar bashkë”, ka deklaruar Aksungur.
Dragan Guberinic në emër të Odës së Fizioterapeutëve të Mali të Zi i ka uruar fizioterapeutët e Kosovës për punimet në Kongres.
Faton Daci kryetar i Shoqatës Shqiptare të Fizioterapistëve ka përgëzuar OFTK-në për organzimin e Kongresit.
“Mesazhi im është për postimet që bëhen nga kolegët, që të bazohen në fakte shkencore, sepse kemi shumë postime dhe video dhe ju lutem që të jeni më të vëmedshëm në postimet që bëhen”, ka thënë Daci.
Arian Idrizaj, Rektor AMECC Rezonanca, i ka uruar suksese pjesëmarrësve në Kongres dhe ka shprehur mbështetjen në promovimin dhe zhvillimin e profesionit të fizioterapisë.
“Kam nderin të përshëndes hapjen e kongresit të III-të ndërkombëtar, një ngjarje me rëndësi shkencore dhe profesionale të disiplinës së fizioterapisë dhe më gjerë. Në kohën kur kujdesi po personalizohet dhe teknologjia po avancon, fizioterapia nuk është më vetëm një komponentë e procesit terapeutik por një shtyllë bazë e kujdesit shëndetësor”, ka thënë Idrizaj.
Në fund të ceremonisë hapëse janë ndarë edhe mirënjohjet për kontributin në zhvillimin dhe avancimin e profesionit të fizioterapisë në Kosovë.
Në ceremoninë hapëse të Kongresit të III-të Ndërkombëtar të Fizioterapisë janë ndarë këto mirënjohje:
Mirënjohje për kontributin në mësimdhënie i janë ndarë:
Prof. Dr. Hajrije Hundozi
Prof. Dr. Vjollca Sahatçiu-Meka
Prof. Dr. Xhevat Shkodra
Mirënjohje për bashkëpunim institucional i janë ndarë:
Arben Vitia, Fatmire Kollçaku, Bekim Haxhiu, Elvir Azizi, Shqipe Ukelli dhe Milazim Gjocaj.
Mirënjohje Post-mortem:
Prof. Dr. Isuf Dedushaj
Prof. Dr. Sebahate Zeqiri
Mirënjohje për bashkëpunim me odat e profesionistëve shëndetësor:
Michel Landry, Tim Nemeth, Tine Kovacic, Kenan Zafer Aksungur, Dragan Guberinic, Faton Daci.
Mirënjohje për pensionistë:
Gani Pepaj dhe Mazllom Jevriqi
Në fund të ceremonisë Fation Hajdari ka ndarë mirënjohje për kryetarin Feim Gashi, për punën dhe angazhimin e tij.
Pas ceremonisë së hapje kanë filluar punimet në Sesionin e parë të Kongresit.