Reagim i OFTK-së për pretendimet e pacientit për dëmtime shëndetësore
Prishtinë, 23 shkurt 2025
Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës i ka përcjellë me vëmendje raportimet e mediave në lidhje me pretendimet e një pacienti nga Mitrovica. Pacienti ka pretenduar se për shkak të një seance të gabuar të fizioterapisë, ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore dhe si rrjedhojë është detyruar t’i nënshtrohet dy intervenimeve kirurgjike.
Fillimisht duam të sqarojmë opinionin se në lidhje me këtë rast në OFTK nuk është adresuar asnjë kërkesë nga institucionet apo organet tjera, apo ankesë nga individë për shqyrtim profesional për tejkalim të kompetencave profesionale apo për mos zbatim të kodit etiko-profesional.
OFTK i siguron të gjithë pacientët se asnjë procedurë fizioterapeutike e aplikuar sipas procedurave profesionale dhe duke zbatuar kodin etik, nuk mund të shkaktojë përkeqësime dhe as dëmtime të shëndetit në përgjithësi.
Ne si Odë e Fizioterapeutëve në vazhdimësi kemi bërë thirrje përmes mediave dhe kemi tërhequr vërejtjen edhe në Inspektoratin Shëndetësor, që pacientët të mos bëhen viktima të individëve që ofrojnë shërbime të ndryshme por që nuk kanë thirrje fizioterapeutë, dhe thirren si profesionistë shëndetësorë.
OFTK i ka të gjitha organet e brendshme të cilat mund të adresojnë raste të tilla sa herë që ka ankesa ose pretendime nga pacientët. Në kuadër të OFTK-së funksionojnë Prokurori, Këshilli Etik dhe Gjyqi i Nderit. Këto organe janë përgjegjëse për të konstatuar nëse ka pasur apo jo, shkelje etike dhe profesionale në raste të ngjashme sikurse rasti i raportuar në media.
Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët që të adresojnë ankesat e tyre pranë organeve të OFTK-së. Në këtë mënyrë do të ofrojmë gjykim të drejtë për çdo ankesë të pacientëve, dhe do të evitojmë çdo paragjykim mbi profesionin tonë të shenjtë dhe anëtarët tanë.
Me respekt,
OFTK