SHSKUK ka kohë për reagime e dezinformime, por jo edhe për koordinime e bashkëveprim në dobi të pacientëve!
Tanimë po bëhen afër 2 muaj nga kërkesat e vazhdueshme të OFTK-së për takim të përbashkët me SHSKUK-në, për koordinim të veprimeve në dobi të pacientëve dhe luftim të pandemisë COVID-19. Reagimi ynë zyrtarë ishte për faktin se SHSKUK ka injoruar kërkesat dhe shqetësimet e komunitet të fizioterapisë. Derisa ne prisnim një reflektim nga SHSKUK vetëm sa u thellua injorimi i profesionistëve shëndetësor të fizioterapisë nga udhëheqja aktuale e SHSKUK-se, në vend të organizimit të këtij takimi të përbashkët, SHSKUK paska gjetur kohë për një reagim të cilin nuk mund ta quajmë ndryshe pos dezinformim të opinionit publik mbi qëndrimin tonë. OFTK në asnjë deklaratë dhe reagim të saj asnjëherë nuk është shprehur se Fizioterapeutët do të tërhiqen nga shërbimi, përkundrazi ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të gatshëm 24 orë në ndihmë qoftë edhe vullnetare në përballje e këtyre pasojave, por vetëm në ushtrimin e detyrave për të cilat jemi të kualifikuar dhe të licencuar dhe jo detyrat e profesionistëve tjerë shëndetësorë. OFTK njofton dhe fton SHSKUK publikisht, që në të gjitha rastet kur kemi një refuzim të ushtrimit të detyrave të tyre të iniciohet procedura disiplinore ndaj tyre dhe OFTK do të jetë e pa kompromis ndaj rasteve të tilla. OFTK fton SHSKUK të organizojnë takim të përbashkët për zgjidhjen e këtyre dilemave, dhe të përmbahen nga deklaratat e tilla dezinformuese të cilat vetëm në dobi të zgjidhjes së problematikave të ngritura nuk janë.
FIZIOTERAPEUTËT KANË QENË, JANË DHE DO TË JENË NË GADISHMËRI 24 ORËSHE PËR NDIHMË NË PËRBALLJE ME COVID-19.