Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës - Kosovo Chamber of Physiotherapists

HomeBALLINAReagim kundër të ashtuquajturve “mjek popullor”

Reagim kundër të ashtuquajturve “mjek popullor”

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës përmes këtij reagimi, dëshiron të informojë dhe vetëdijësojë qytetarët mbi rreziqet e metodave dhe trajtimeve nga të ashtuquajturit “mjek popullor”.

Disa nga këta persona të vetshpallur “profesionist” pretendojnë se “shërojnë” sëmundje me metoda fizioterapeutike.

Ndaj këtyre pretendimeve, ne si OFTK reagojmë ashpër dhe i demantojmë fuqishëm se nuk qëndrojnë dhe gjithashtu janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Mjekësia popullore ose alternative është e bazuar në gojëdhëna dhe mite, dhe asnjëherë në fakte dhe shkencë. Askush nuk duhet të pranojë dhe të marr shërbime të tilla, duke e vënë në rrezik shëndetin e vet.

Përmes këtij reagimi gjithashtu dëshirojmë të kërkojmë edhe nga mediat që të kenë më shumë kujdes në rastet kur raportojnë për këta persona, të cilët nuk janë profesionistë, nuk e kanë edukimin përkatës dhe as licencë nga institucionet për shërbimet që i kryejnë.

Në këto raste institucionet përkatëse, Inspektorati Shëndetësor, do të duhej të reagonte në bazë të ligjit dhe kompentencave që të marr masa ndaj këtyre personave që kryejnë shërbime shëndetësore pa asnjë bazë shkencore, pa diplomë të edukimit dhe pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë.

Inspektorati nuk duhet dhe nuk mund të rrijë indiferent ndaj këtyre rasteve të cilët përveç që kryejnë shërbime shëndetësore, në shumë raste edhe përdorin produkte të ashtuquajtura terapeutike. Këta persona rrezikojnë shëndetin e njeriut dhe Inspektorati duhet të jetë në krye të detyrës sipas parimeve kryesore të Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor për “kujdesin e shëndetit të banorëve të Kosovës”.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm nga personat profesionistë të licencuar nga odat përkatëse dhe Ministria e Shëndetësisë.

Fizioterapia është një nga degët e mjekësisë e cila realizohet përmes profesionistëve fizioterapeutë për menaxhimin dhe rehabilitimin e pacientëve përmes edukimit, intervenimit fizik, parandalimit të sëmundjeve dhe promovimit të shëndetit duke u bazuar në fakte, evidencë dhe shkencë.

Në uebfaqen e OFTK-së mund t’i gjeni të gjithë emrat e fizioterapeutëve të licencuar nga të cilët mund të merrni shërbime të sigurta dhe të përgjegjshme.

Me respekt,

OFTK

Më të lexuarat