Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Fizioterapisë. Me këtë rast, Kryetari i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Prof. Ass. Dr. Feim Gashi PT, uron të gjithë kolegët për punën e tyre.
Tema e këtij viti i kushtohet sëmundjeve kardiovaskulare dhe goditjeve në tru, të cilat mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë.
Kryetari Gashi thekson se fizioterapia nuk është vetëm trajtim pas sëmundjes, por një mjet i fuqishëm parandalimi.
Vetëm gjysmë ore aktivitet fizik, pesë herë në javë, mund të ulë rrezikun e goditjes në tru për një të katërtën. Andaj sipas tij, fizioterapeutët luajnë rol kyç duke ndihmuar qytetarët të lëvizin më shumë.
Për këtë arsye kryetari Gashi vazhdimisht ka avokuar dhe ka bërë thirrje që fizioterapia të përfshihet më gjerësisht në sistemin shëndetësor, veçanërisht në kujdesin parësor për të ndihmuar qytetarët në parandalimin e sëmundjeve në zemër dhe tru.
Në këtë ditë OFTK i fton të gjithë anëtarët që të vazhdojnë të jenë promotorë të lëvizjes dhe shëndetit. Të mbetemi të bashkuar në misionin tonë për të ofruar një cilësi më të mirë jete për çdo pacient.
Me respekt,
OFTK