← Kthehu te lajmet

Shërbimet fizioterapeutike tashmë edhe në nivelin parësor shëndetësor

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës mirëpret nënshkrimin e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 nga Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, me të cilin fizioterapia përcaktohet si shërbim shëndetësor që ofrohet në kuadër të nivelit parësor shëndetësor.

Ky vendim paraqet një arritje të rëndësishme për profesionin e fizioterapisë dhe një hap konkret drejt përmirësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime fizioterapeutike profesionale.

OFTK shpreh falënderimin ndaj Ministrit të Shëndetësisë për realizimin e kësaj kërkese të kahmotshme të OFTK-së, e cila paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të profesionit të fizioterapisë dhe përmirësimit të qasjes së qytetarëve të Kosovës në shërbime fizioterapeutike cilësore.

Përfshirja e fizioterapisë në nivelin parësor shëndetësor do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të kujdesit shëndetësor, trajtimin më të hershëm të pacientëve dhe fuqizimin e rolit të fizioterapeutëve në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës.

OFTK do të vazhdojë angazhimin e saj në mbrojtjen dhe avancimin e profesionit të fizioterapisë, që shërbimet e fizioterapisë në nivelin parësor, dytësor dhe tretësor të rregullohen me Ligjin për Shëndetësi, bashkë me programet për specializim në fushën e fizioterapisë, për të ofruar shërbime shëndetësore më të mira për pacientët.

OFTK gjithmonë në funksion të interesit të anëtarëve të saj, qytetarëve dhe zhvillimit të sistemit shëndetësor në vend.