Me rastin e Ditës Botërore të Fizioterapisë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës e ka organizuar një ligjëratë online me temë “Roli i Fizioterapisë në Procesin e Plakjes së Shëndetshme”.
Në këtë ditë të rëndësishme për profesionin e fizioterapisë, është theksuar rëndësia e këtij profesioni dhe ndikimi në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve në mbarë botën.
Gjithashtu, është rikujtuar roli thelbësor i fizioterapisë në mbështetjen e individëve për të jetuar më gjatë, me shëndet dhe pavarësi.
Kryetari i OFTK-së Prof. Ass. Feim Gashi PhD ka mbajtur një fjalim në hapjen e ligjëratës ku i ka uruar të gjithë anëtarët për Ditën Botërore të Fizioterapisë, si dhe iu ka bërë thirrje që të vazhdojnë me punën e tyre profesionale dhe etike.
“Si kryetar i Odës së Fizioterapisë së Kosovës, i bëj thirrje gjithë kolegëve që të vazhdojnë angazhimin profesional dhe etik për të mbështetur qytetarët tanë drejt një plakjeje dinjitoze, duke promovuar aktivitetin fizik, trajtimet adekuate dhe edukimin e vazhdueshëm të pacientëve për mirëqenien e tyre”, ka deklaruar Gashi.
OFTK shpreh mirënjohje për të gjithë fizioterapeutët, për përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar që japin çdo ditë në shërbim të shëndetit të komunitetit.
Gjithashtu i falënderojmë të gjithë anëtarët për pjesëmarrjen e tyre në ligjëratën online.
Në vijim po e sjellim të plotë fjalën e kryetarit Prof. Ass. Feim Gashi PhD
Të nderuar kolegë
Urime 8 Shtatori Ditën Botërore të Fizioterapisë!
Me rastin e Ditës Botërore të Fizioterapisë dhe duke marrë parasysh temën e këtij viti “Plakja e shëndetshme”, dua të shpreh nderimin dhe mirënjohjen për rolin e jashtëzakonshëm që fizioterapia luan në jetën e njerëzve të çdo moshe, veçanërisht në mbështetjen e një procesi të plakjes aktive dhe të shëndetshme.
Oda e Fizioterapisë së Kosovës (OFTK) është institucioni profesional që përfaqëson dhe mbron interesat e fizioterapeutëve në Republikën e Kosovës. Që nga themelimi i saj, OFTK ka zhvilluar aktivitete të shumta në drejtim të avancimit të profesionit dhe forcimit të rolit të fizioterapeutëve në sistemin shëndetësor.
Arritjet e deritanishme përbëjnë bazën mbi të cilën do të ndërtohen hapat e ardhshëm drejt një profesioni gjithnjë e më të fuqizuar dhe të integruar në standardet evropiane dhe botërore.
Plakja është një fazë natyrale dhe e pashmangshme e jetës, por mënyra se si ne e përjetojmë atë varet shumë nga përkujdesja që marrim gjatë gjithë jetës. Fizioterapia, me njohuritë dhe përvojën e saj, është kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve, duke ndihmuar në ruajtjen e mobilitetit, pavarësisë dhe fuqizimit fizik, si dhe në parandalimin e sëmundjeve kronike që mund të komplikojnë këtë periudhë.
Si kryetar i Odës së Fizioterapisë së Kosovës, i bëj thirrje gjithë kolegëve që të vazhdojnë angazhimin profesional dhe etik për të mbështetur qytetarët tanë drejt një plakjeje dinjitoze, duke promovuar aktivitetin fizik, trajtimet adekuate dhe edukimin e vazhdueshëm të pacientëve për mirëqenien e tyre.
Le të punojmë së bashku për një Kosovë ku çdo qytetar mund të jetojë me shëndet dhe energji të plotë, në çdo fazë të jetës së tij.
Kryetari në fund i ka falënderuar kryetarin e Komisionit për Edukim të Vazhdueshëm Prof.Ass.Dr.Sci. Zheralldin Durguti PT dhe ligjëruesin Prof.Ass.Dr. Arben Boshnjaku PT për kontributin e vazhdueshme ne OFTK.